Ish-veterani i UÇK-së, Ymer Durguti nga Rahoveci, është ndarë nga jeta pas një sëmundje të shkurtër, në moshën 52 vjeçare.
Njoftimin për vdekjen e të ndjerit, e ka dhënë kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.
Latifi thotë se Ymeri do të kujtohet përherë si njëri prej ushtarëve të devotshëm të UÇK-së që i shërbeu luftës për çlirim deri në fund.
“Kontributi i tij në Batalionin II të Brigadës 124 “Gani Paçarrizi”, Zona Operative e Pashtrikut, ishte i vlefshëm dhe domethënës në betejat ushtarake të UÇK-së kundër armikut. Të qenit ushtar për Ymerin nuk u ndal me përfundimin e luftës, pasi që ai vazhdoi kontributin e tij për një kohë, edhe në Trupat Mbrojtëse të Kosovës”, shkruan Latifi.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot më 16 maj 2022, në ora 15:00, në varrezat e qytetit të Rahovecit, aty ku prehen dëshmorët e Kombit dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.