Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se nuk beson që Serbia do t’i hapë arkivat e saj, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.
Kandiq, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se Serbia nuk do të japë dokumente, të cilat ajo nuk ia ka dhënë as Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, që njihet si Tribunali i Hagës për krime të luftës.
Këto komente vijnë pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka potencuar rëndësinë që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë, për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kandiq tha se Serbia i ka dorëzuar dokumente Tribunalit të Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi, të cilat ky tribunal i ka shfrytëzuar në lëndët në bazë të të cilave ka sjellë aktvendimet dhe i ka konfirmuar faktet që gjendeshin në paditë ndaj të akuzuarve për krime të luftës.
Sipas saj, Kosova mund të kërkojë nga Tribunali i Hagës që të ketë qasje në këto dokumente. Ndërkaq, për sa i përket hapjes së arkivave, ajo nuk beson që Serbia do ta bëjë këtë.
“Nuk mund të pritet, të paktën unë nuk besoj, që Serbia të japë ato dokumente, të cilat ajo nuk ia ka dhënë as Tribunalit të Hagës. Ka pasur me të një marrëveshje që, duke u thirrur në sigurinë nacionale, disa dokumente nuk i ka zbardhur dhe nuk ia ka dorëzuar Tribunalit të Hagës. Nuk mund të pritet diçka më shumë nga Serbia”, thotë Kandiq.