image Namazi i xhumasë falet sot në xhami, këta persona nuk duhet të shkojnë

Kosovë

Namazi i xhumasë falet sot në xhami, këta persona nuk duhet të shkojnë

news image

Me vendim të qeverisë është vendosur që nga dje të hapen xhamitë dhe kishat. Kësisoj, edhe falja e përjavshme e namazit të xhumasë do të mund të bëhet sot, pas rreth dy muajsh.

Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) dje ka dalë me rekomandime për besimtarët, në mënyrë që ata të mbrohen nga rreziku i infektimit me COVID-19.

Kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, ka rekomanduar që komunat më të mëdha si Prishtina, Mitrovica, Ferizaj, Gjilani, Peja, Prizreni, Gjakova, Podujeva ta organizojnë faljen e namazit të xhumasë dy herë, ku imamët dhe xhemati njoftohen për këtë. Në këto namaze, është rekomanduar që të mos marrin pjesë personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike, shkruan Gazeta Sinjali.

“Kjo bëhet në xhaminë  qendrore të komunave  si dhe ndonjë xhami tjetër që frekuentohet  më shumë nga xhemati. Myftiu Tërnava po ashtu ka kërkuar nga besimtarët  që t’iu përmbahen udhëzimeve dhe rekomandimeve të BIRK- ut dhe institucioneve shëndetësore në lidhje me ruajtjen e shëndetit publik, nga virusi Covid-19, duke treguar kujdes kur të shkojnë në xhami, duke ruajtur distancën sociale, t’i vendosin maskat, të marrin abdes në shtëpi  si dhe ka kërkuar që të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike mos të frekuentojnë në xhami, që të ruajnë shëndetin e tyre si dhe të tjerëve”, njofton Bashkësia Islame e Kosovës.

Gjithashtu, ligjërata e sotme nuk do të zgjasë më shumë se dhjetë minuta. /Gazeta Sinjali/