Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit e prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor, shkruan Gazeta Sinjali.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se puna në shkolla këtë vit nuk do të jetë e lehtë për shkak të pandemisë.
“Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim”, ka shkruar ajo në Facebook.
Postimi i plotë:
Të dashur nxënës, mësues, prindër, urime fillimi i vitit shkollor!
Në këtë fillim viti shkollor kur akoma po përballemi me pandeminë, angazhimi ynë për të bërë më të mirën, për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm, është i vazhdueshëm.
Sfidat e brengat do t’i tejkalojmë bashkë, me vullnetin, kuriozitetin e energjinë për mësimnxënie e mësimdhënie.
Nuk do të jetë e lehtë as këtë vit, puna në shkolla. Krahas masave që kemi ndërmarrë, krahas kujdesit për sigurinë e shëndetin, nuk duhet lënë anash as betejat për rezultate në të nxënë, në arsimim e edukim.
Me kujdes të shtuar, respektim të masave, bashkëpunim e përkushtim, për rezultate sa më të mira!
Shëndet të plotë e suksese për të gjithë!