Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë që ata që do t’i plotësojnë kriteret do jenë inspektorë të arsimit.
Nagavci në një konferencë për media, ka thënë se nga 240 aplikantë për inspektorë të arsimit, vetëm 39 e kanë kaluar rishikimin administrativ, për të vijuar në fazën e dytë të rekrutimit.
“Konkursi për rekurtimin e 20 inspektorëve ka qenë i hapur në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. 240 aplikantë kanë qenë me aq sa i kemi marrë të dhënat nga Ministria, prej tyre në selektimin e parë ministria i ka identifikuar rreth 39 kandidatë të suksesshëm.
Tutje Nagavci ka thënë që ata do të insistojnë që vetëm kandidatët që janë më të mirët dhe që i plotësojnë kriteret do të jenë inspektorë të arsimit.
“Duhet të sigurohemi që nuk ka pasë asnjë ndërhyrje dhe korruptim të procesit. Shumë shpejtë do të kemi vendimin final nga ministria, se a ka pasë ndonjë shkelje. Ne e kemi paraparë për këtë vit punësimin edhe të 20 inspektorëve. E di që është tepër vonë dhe neve si ministri mungesa e inspektorëve na krijon mangësi të shumta, pengesa dhe vështirësi në punë, por në anën tjetër nuk mund të lejojmë që të kemi procese që na përfundojnë me kuadër jokredibil dhe jokompetent”, tha Nagavci.