image Myftiu i Shqipërisë takon Papa Françeskun, i kërkon mbështetje për pavarësinë e Kosovës

Evropë

Myftiu i Shqipërisë takon Papa Françeskun, i kërkon mbështetje për pavarësinë e Kosovës

news image

Hoxhë Bujar Spahiu, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, po qëndron në Vatikan, ku u prit me ngrohtësi nga Papa Françesku.

Spahiu, mes të tjerash kërkoi nga Vatikani, mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

Takimi mes dy krerëve fetarë zgjati më shumë se 30 minuta.

“Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që z. Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën”, thuhet në njoftimin e Komunitetit Myslimanë të Shqipërisë.

Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë.

Papa vlerësoi rolin e veçantë të Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi, mbi vëllazërimin njerëzor.

Ata shkëmbyen edhe dhuratat e rastit në fund të takimit.

Takimi mes Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të Komunitetit Myslimanë të Shqipërisë.

Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzotin Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.

/GazetaSinjali/