image Mustafi: Racizmi është përditshmëri në Serbi ndaj shqiptarëve

Rajon

Mustafi: Racizmi është përditshmëri në Serbi ndaj shqiptarëve

news image

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi Ragmi Mustafi, tha se derisa sot, shënohet 75-vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, racizmi, ksenofobia, diskriminimi dhe intoleranca janë e përditshmja e normalja në Serbi.

“Lufta kundër racizmit është lufta e të gjithëve. Dinjitet, liri, barazi e drejtësi edhe për Luginën e Preshevës”, tha Mustafi nëpërmjet një postimi në rrjetin social.

Ai më tej theksoi se deklarata garanton të drejtat e patjetërsueshme, që çdo njeri ka të drejtë si qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, orientimet politike ose të tjera, përkatësia kombëtare ose sociale, pasuria, lindja ose statusi tjetër.

“Sot racizmi, ksenofobia, diskriminimi dhe intoleranca janë e përditshmja e normalja në Serbi jo vetëm nga zyrtar të lartë shtetërorë e diskursi publik, por si produkt i sistemit aktual në qëndrimet denigruese ndaj komunitetit shqiptar”, tha kryetari i KKSh-së.

Mustafi, theksoi se pa e kuptuar se racizmi dëmton jo vetëm jetën e atyre që e durojnë e shtypen, por edhe shoqërinë në tërësi. Të gjithë humbasin në një shoqëri të karakterizuar nga diskriminimi, ndarja, mosbesimi, intoleranca dhe urrejtja.

Lufta kundër racizmit është lufta e të gjithëve.  Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur në ndërtimin e një bote përtej racizmit. Barazia në të drejta, reciprociteti e rrespektimi i të drejtave individuale e kolektive është rruga drejtë e paqës së qëndrueshme e të vërtetë, është rruga e përparimit të gjithmbarshëm”, tha Mustafi.

/GazetaSinjali/