Për Ministrin e Punëve të Brendshme në detyrë, Ekrem Mustafën, tërheqja e aplikacionit për anëtarësim në Interpol, nuk është gabim. Në një bisedë për Gazetën Sinjali, Mustafa tregon pse Kosova vendosi të tërhiqet nga gara.
Kosova ka tërhequr aplikimin për anëtarësim në Interpol me arsyetimin për organizimin e zgjedhjeve që janë zhvilluar në Kosovë më 6 tetor. Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një letër të dërguar Asamblesë së Interpolit ka lutur që kërkesa për pranim në INTERPOL të shtyhet për mbledhjen e radhës”, thuhet në letrën e Haradinajt.
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Ekrem Mustafa në një deklaratë për Gazetën Sinjali ka thënë se për shkak të zgjedhjeve lobimi për anëtarësim s’është bërë si duhet.
“Kohëve të fundit edhe lobimi s’është bërë qysh duhet, për shkak të zgjedhjeve”, tha Mustafa për Gazetën Sinjali.
Ai përmend edhe fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol si dhe thotë se vendi ku është mbajtur Interpoli nuk e ka njohur Kosovën.
“Invazioni i Serbisë ka qenë i dëshmëm, vendi ku është mbajt Interpoli është vend që nuk na ka njohur. Nuk llogaritet gabim tërheqja, e kemi planifiku më herët. S’kemi pasur asnjë vërejtje sa i përket kritereve, po është politizu mekanizmi i policisë. Shumë shtete që s;ka anë njoft kanë marrë pjesë në votim”, përfundoi Mustafa.
Gazeta Sinjali ka marrë një përgjigje edhe nga zyra e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, për tërheqjen e aplikacionit nga Interpoli. Ata kanë thënë se Kosova do të aplikojë vitin tjetër.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, bazuar në kompetencat si Kryeministër në detyrë, sot kam kërkuar shtyerjen e votimit të Kosovës për antarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm”, thuhet në përgjigjen nga zyra e kryeministrit për Gazetën Sinjali.
Nga ana tjetër, tërheqjen e Kosovës nga kërkesa për anëtarësim në Interpol, Serbia e ka quajtur fitore dhe sukses të diplomacisë së saj.
Ndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në Interpol, kanë nisur vite me parë. Në vitin 2015 dhe 2016, edhe pse shteti ynë kishte aplikuar, nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Në vitin 2017, Kosova tërhoqi vullnetarisht kërkesën, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme. Ndërsa vitin e kaluar, Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i Interpolit, pasi në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai, nuk mori votat e nevojshme.