image Mustafa: LDK dhe VV të mos konfrontohen mes vete

Kosovë

Zgjedhjet/ Mustafa: LDK dhe VV të mos konfrontohen mes vete

news image

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i mbetet besnik idesë që vendi të qeveriset nga dy partitë e mëdha opozitare, LDK dhe Vetëvendosje.

Kështu është shprehur vetë ai në llogarinë e tij në Facebook, duke e konsideruar këtë si zgjedhjen më të mirë.

“Jam angazhuar, i mbetem besnik idesë dhe përkushtimit që vendi të qeveriset nga partitë e deritanishme opozitare, LDK dhe Vetëvendosje. Në situatën në të cilën gjendemi, këtë e konsideroj zgjidhjen më të mirë. 
Sikurse LDK, ashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje ka specifikat e veta. Ka njerëzit me të cilët llogarit fitoren dhe qeverisjen. Kanë ambientin e brendshëm, që dallon”, ka shkruar Mustafa.

Megjithatë, Mustafa thotë se si LDK-ja, ashtu edhe VV-ja nuk kanë të drejtë të përzihen në kandidaturat e njëra-tjetrës për kryeministër. Ai tha se e ka gëlltitur të kaluarën për interes të vendit.

“Nuk i jap të drejtë LDK-së të përzihet se kush nga VV duhet të jetë Kryeministër i vendit. Por, nuk i jap të drejtë as VV të na caktojë sesi LDK duhet të vendosë për Kryeministrin dhe për njerëzit e fushatës. Bashkëpunimin e konsideroj proces të respektit reciprok. Kam gëlltitur të kaluarën, sepse e kam vlerësuar më lart interesin e vendit sesa vetëveten”, ka shkruar ai.

Mustafa thotë se LDK-ja nuk e nënvlerëson liderin e VV-së, Albin Kurtin, por vlerëson kandidaten e tyre, Vjosa Osmanin si dhe kërkesat e anëtarësisë që ajo të jetë kandidate për kryeministre.

“Jemi shprehur pozitivisht për koalicion me VV në interes të forcimit të shtetit dhe dekriminalizimit të vendit. LDK, nuk e kërkon Kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mire e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për Kryeministër”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka bërë thirrje që këto dy parti të mos e konfrontohen me njëra-tjetrën vetëm për vota, por të ndërtojnë një front të përbashkët para ose paszgjedhor.

“Në qoftë se jemi të bindur se edhe njërës edhe tjetrës palë i takon Kryeministri, kjo nuk do të thotë se duhet të hapim frontin ndërmjet veti. Kemi plot gjëra të mira që mund t’ia adresojë njëra palë tjetrës për bashkëpunimin tonë, por kemi edhe të këqia. Kjo nuk është mënyrë që ne të tentojmë të fitojmë vota. Më shumë preferoj të ndërtojmë front të përbashkët, para ose pas-zgjedhor, për t’ua pamundësuar PAN-ave dhe përkrahësve të tyre vazhdimin e shkatërrimit të shtetit”, ka shkruar në fund kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. /Sinjali