image Mustafa: Prania e lypsarëve nga Shqipëria, problemi më i theksuar i trafikimit në Kosovë

Kosovë

Trafikimi/ Mustafa: Prania e lypsarëve nga Shqipëria, problemi më i theksuar i trafikimit në Kosovë

news image

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa do ta lansojë sot fushatën njëmujore kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Para konferencës e cila do të mbahet për këtë çështje, ministri Mustafa në një prononcim për Gazetën Sinjali theksoi se qëllimi tij dhe ministrisë që drejton është  forcimi i mekanizmave për parandalimin dhe identifikimin e personave që merren me trafikim me qëllim të ngritjes së efikasitetit në luftën kundër kësaj dukurie, shkruan Gazeta Sinjali.

“Si synim i yni është forcimi i mekanizmave për parandalimin e trafikimit, ngritja e efikasitetit në  ndjekjen e trafikantëve, fuqizimi  i bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar. Këto  janë prioritetet të cilat i kemi vënë në kuadër të dizajnimit të kësaj fushate.” ka theksuar Mustafa për Gazetën Sinjali.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme theksoi se trafikimi është mjaftë i theksuar në Kosovë ndonëse sipas tij, sipas statistikave që posedon ministria e Punëve të Brendshme, kjo dukuri  ka pasur trend të rënies nga viti i kaluar. Ai tha se problemi më i përhapur në Kosovë është trafikimi me lëmoshë kërkuesit të cilët sillen kryesisht nga Shqipëria.

 “Problemi më i madh është me personat lypsarë që po depërtojnë nga shteti shqiptar. Më së shumti kemi probleme me ta por edhe me trafikimin me qenie njerëzore për qëllime prostitucioni, probleme këto që janë të pranishme në vazhdimësi”, theksoi ministri Mustafa.

Ai theksoi se përveç trafikimit të brendshëm Kosova përdoret edhe si vend transiti për trafikim me qenei njerëzore për në vendet e Bashkimit Evropian.

Fushata kundër trafikimit do të lansohet sot nga autoritetet e rendit dhe sigurisë me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz.

Gjatë një muaji në kuadër të kësaj fushate do të organizohen aktivitete të ndryshme me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe fuqizimin e ndërgjegjësimit mbi këtë fenomen./Gazeta Sinjali/