Isa Mustafa është politikani i parë në Kosovë që ka arritur t`i fitojë tri mandate për ta udhëhequr një parti politike. Që nga viti 2010, Mustafa ka marrë në dorë timonin e LDK-së dhe pritet ta drejtojë të paktën deri në vitin 2023.
Rizgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së e kanë injoruar kolegët e tij nga pozita e opozita. Deri më tani vetëm kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka uruar Mustafën. Për këtë ngjarje s’e kanë çelur gojën Kadri Veseli i PDK-së, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate, Ramush Haradinaj i AAK-së e as Albin Kurti i VV-së. Ky i fundit po pretendon për një koalicion të mundshëm me partinë e Mustafës në zgjedhjet e reja parlamentare, shkruan Gazeta Sinjali.
Sidoqoftë, Behgjet Pacolli ishte i pari që uroi Mustafën.
“Sapo e urova ish kryeministrin e Kosovës z.Isa Mustafa për rizgjedhjen e tij në krye të LDK. Uniteti i faktorit politik në vend është shumē i rëndësishëm përballë sfidave madhore që e presin shtetin tonë”, ka deklaruar Pacolli.
Isa Mustafën e ka uruar edhe kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha.
“Urimet më të mira mikut tim Isa Mustafa për rizgjedhjen në krye të LDK. Në emrin tim dhe të PD-së i uroj suksese bashkë me LDK në sfidat për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin euroatlantik të saj”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Tëitter.
Ngjarjen e sotme të LDK-së e ka komentuar edhe presidenti serb Aleksandër Vucic.
Mustafa ka marrë kritika nga Fatmir Sejdiu dhe Melihate Tërmkolli, të dy kanë deklaruar që zgjedhjet sot nuk janë mbajtur në mënyrë demokratike.
Ish anëtarja e LDK-së Donika Gervalla, ka ironizuar me delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo ka publikuar një fotografi me kope delesh në Facebook me të cilat i ka krahasur kolegët e saj të dikurshëm. /Sinjali/