image Mustafa: Nuk ndjehem fajtor për asnjë akuzë të Zyrës së Gestapos

Drejtësi

Mustafa: Nuk ndjehem fajtor për asnjë akuzë të Zyrës së Gestapos

news image

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar gjykimi ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës, raporton Gazeta Sinjali.

Mustafa në këtë seancë tha se ndihet i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga Dhomat e Prokurorëve të Specializuar.

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, tha Mustafa.

Gestapos ishte policia sekrete zyrtare e Gjermanisë Naziste.

Aktakuza ndaj tij u konfirmua më 12 qershor të vitit 2020, ndërkaq ai u arrestua më 24 shtator të atij viti. Mustafa kishte mohuar akuzat ndaj tij.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale.

Në aktakuzën e konfirmuar, Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./Gazeta Sinjali/