image Mustafa sqaron renditjen e emrave në listën e kandidatëve për deputetë

Kosovë

Reagim/ Mustafa sqaron renditjen e emrave në listën e kandidatëve për deputetë

news image

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka dhënë një sqarim për renditjen e emrave në listën e kandidatëve që do të garojnë për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Mustafa ka theksuar se renditja e emrave në këtë listë është bërë sipas meritave ndërkaq është shprehur se po të kishte mundësi, për të gjithë do të vendoste një numër, shkruan Sinjali.

Ndër të tjera Mustafa ka thënë se në listën për deputetë të partisë që udhëheqë ai, nuk ka të atillë që ai i cilëson si ‘ardhacakë’.

 “Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë parkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për të! “, ka shkruar Mustafa.

Shkrimi i plotë i Isa Mustafës në Facebook:

Lista e LDK-së për deputetë përfaqëson identitetin dhe vlerat e Kosovës

Veprimtare e veprimtarë me dije dhe profesione, të respektuar në mjedisin ku jetojnë për punën dhe sjelljen e tyre. Është kjo cilësi themelore e të gjithëve.

Renditja nuk është kriter i vlerës dhe meritës. Po të ishte e mundur të gjithë do të kishin një numër, në rrafsh me prijësen e listës dhe kandidaten për Kryeministre, Vjosa Osmani.

LDK ka njerëz me të cilët do të qeveris me standarde evropiane të dijes e me përgjegjësi e ndërgjegje familjare e ligjore. Lista jonë siguron që ligjet në të ardhmen të mos aprovohen në Parlament nga ata që kanë probleme me shtetin ligjor.

Lista reflekton një diversitet specifik: akademikë, profesorë universitar, kuadro të shquara të kulturës, të biznesit, ministre dhe ministra të suksesshëm, mësues, drejtues shkollash e biznesesh, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë… Të gjithë të përkushtuar, në rend të parë, për shtetin e Kosovës – KOSOVACENTRIZMIN. Të përcaktuar që Kosova të forcohet ekonomikisht, kulturalisht dhe ndërkombëtarisht, pa ia prekur askush kufijtë, shtetësinë dhe simbolet e saj. Ta ndërtojmë një Kosovë evropiane, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ashtu siç e predikonte Presidenti ynë i Parë, dr. Ibrahim Rugova.

Lista e LDK-së nuk është listë e ardhacakëve të ditëve të fundit nga partitë e tjera ose sferat sociale. Është listë e njerëzve të devotshëm e të dëshmuar për vizionin dhe vlerat e LDK-së. Ata që e kishin mendjen na u bashkëngjiten në procesin e zgjedhjeve të brendshme partiake. Lista përfaqëson kandidatët që janë propozuar nga çdo cep i Kosovës, të cilët kanë marrë parkrahjen e të gjitha organeve të LDK-së, atyre lokale dhe qendrore. Prandaj ne garantojmë para qytetarëve për çdonjërin që e kemi në listë se është i yni. Ndërkaq qytetarët vendosin për vlerat tona dhe vlerat e çdonjërit veç e veç! E LDK iu beson qytetarëve të Kosovës, e bindur se kemi vetëm një atdhe dhe vetëm një popull që vendos për te! /Sinjali/