image Mustafa i bie pishman: S'merrem kurrë më me politikë, edhe nëse më bëjnë president

Politikë

Mustafa i bie pishman: S’merrem kurrë më me politikë, edhe nëse më bëjnë president

news image

Njësoj sikurse emërimi në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i papritur dhe i shpejtë për Ekrem Mustafën ka rezultuar edhe largimi i tij nga kjo pozitë.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme është shprehur i penduar për periudhën e tij 18-mujore në udhëheqje të MPB-së.

Që kur dorëzoi detyrën te pasardhësi i tij Agim Veliu më 4 shkurt 2020, ai është tërhequr plotësisht nga jeta publike. Ka vendosur t’i rikthehet profesionit dhe biznesit.

Mustafa, i cili e mbajti postin e kreut të MPB-së për 18 muaj nën qeverisjen e Ramush Haradinajt, tha se nuk do të merret më kurrë me politikë edhe në rast i ofrohet pozita e shefit të shtetit.

“Unë e kam ndërprerë tërë angazhimin tim politik në momentin që e kam dorëzuar detyrën tek Agim Veliu dhe kurrë më s’merrem me politikë. Edhe nëse më ofrojnë pozitën e presidentit, nuk pranoj më të merrem me politikë. Unë e kam profesionin tim si mjek. I kam tri biznese në Prishtinë dhe Ferizaj”, tha Mustafa për Paparacin.

Mustafa foli edhe për udhëheqjen e Xhelal Sveçlës në MPB, duke thënë se ky i fundit duhet t’i zbatojë ligjet dhe të veprojë në bazë të detyrave që i ka të përshkruara me Kushtetutë.

“Shumë pak jam duke u marrë me situatën politike në vend, edhe të kryeministrit (Kurti) edhe të ministrit (Sveçla). Ministri i Punëve të Brendshme i ka të përshkruara detyrat me Kushtetutë dhe duhet t’i zbatojë ato. Qeveria krijon ligje të veçanta. Aksionet e Policisë ministri nuk i merr, ato janë si rezultat i Prokurorisë”, u shpreh Mustafa.

Sipas Mustafës, aksionet policore nuk janë në duart e ministrit.

“Ai nëpër Facebook le ti poston tërë ditën, unë kam qenë vetë ministër dhe jam njoftuar një ditë para aksioneve”, thotë Mustafa. “Ato nuk janë aksione që i organizon ministri, ai vetëm i zbaton politikat e ministrisë. Për momentin ai është ministër, nëse ka pasur rezultate në shpartallimin e bandave, kriminelëve e këtyre, atëherë do të thotë se janë si rezultat i politikave që janë udhëhequr në MPB”.

Ish-ministri deklaroi se nuk mund të analizojë qeverisjen e deritanishme të Kurtit dhe kabinetit të tij, pasi “është kohë e shkurtër për të dhënë ndonjë vlerësim”.

“Për këto 9 muaj nuk mund të jap vlerësim. Unë kam qenë ministër 18 muaj dhe pas 6 muajve kam filluar t’i realizojë punët, Për këta muaj nuk mund të japim ndonjë vlerësim. Duhet të presim të paktën edhe tre-katër muaj ta shohim ku i kanë sendet”, shprehet ai.

Mustafa ishte emëruar ministër me insistimin e ish-deputetit të shumicës qeverisëse të koalicionit PDK-AAK-Nisma, Labinot Tahiri, i cili kishte kushtëzuar mbështetjen e tij për qeverinë me emërimin e një ministri nga Ferizaj.

Kësisoj, “Labi” kishte propozuar Mustafën për ministër të Brendshëm. Propozimi i tij ishte miratuar nga ish-shefi i tij në parti, Behgjet Pacolli.

Më 4 shkurt të vitit 2020, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ishte mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të postit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Me këtë rast, ish-ministri, Ekrem Mustafa, ia kishte dorëzuar detyrën ministrit të ri të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. /GazetaSinjali/