image Musliu - Konjufcës: Si LVV reduktoni udhëtimet zyrtare dhe ftoni deputetët t'i votojnë ligjet

Politikë

Musliu – Konjufcës: Si LVV reduktoni udhëtimet zyrtare dhe ftoni deputetët t’i votojnë ligjet

news image

Seanca e Kuvendit që ishte planifikuar të vazhdojë sot, ka nisur para pak minutash. Por në mungesë të kuorumit, nuk ka arritur të kalojë projektligji për pronën publike, çka nxiti disa replika mes Konjufcës e deputetëve të PDK-së, raporton Gazeta Sinjali.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, iu drejtua deputetit të PDK-së, Hajdar Beqa, që “t’i kursejë nga ndërlikimet”, pasi ky i fundit kërkoi që projektligji të kthehet në votim.

 “Z.Beqa, nëse po na kërkoni me rikthy në votim, së paku na kurseni prej këtyre ndërlikimeve, nëse nuk e keni ndërmend me votu vet”, tha Konjufca.

I menjëhershëm ishte reagimi i PDK-së. Në emër të partisë e mori fjalën deputetja Ganimete Musliu, e cila i kërkoi Konjufcës që t’i ftojë deputetët e LVV-së t’i reduktojnë udhëtimet.

Sipas saj, deputetët e partisë në pushtet, duhet të shkojnë në Kuvend për t’i kaluar ligjet.

“Është mirë që si LVV t’i reduktoni pak udhëtimet zyrtare dhe t’i ftoni deputetët që ta mbajnë përgjegjësinë për çka ju ka dhanë qytetari i KS dhe të jenë këtu për t’i kaluar ligjet”, tha Musliu.

Por Konjufca ia ktheu, duke i thënë se udhëtimet nuk mund të jenë problem për mungesën e deputetëve.

“More, pse deputetët nuk janë në sallë, ma së pakti problemi është te udhëtimet.”

/GazetaSinjali/