Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar në lidhje me numrin e të punësuarve dhe shkallën e papunësisë ndër vite.
Ai ka publikuar disa statistika nga ASK, rreth punësimeve, ku ka thënë se këto janë të vërtetat. Tutje ministri ka deklaruar se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë e tjera bashkë.
Sipas tij, në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar, derisa ka shtuar se për periudhën 3-vjeçare të Qeverisë Kurti, sipas raportit, janë shtuar 78 mijë vende pune.
Për krahasim, ai ka thënë se gjatë qeverisjeve të kaluara, për 8 vjet, janë shtuar vetëm 44.228 vende pune. Sipas tij, shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë, ka theksuar Murati.
“Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë.
Gjithsesi, për të evituar diskutimet mbi metodolgjinë e përllogaritjes së shkallës së papunësisë, Qeveria pothuajse çdoherë i është referuar shifrës absolute të të punësuarve, e cila është indikatori më i saktë për të treguar se sa është rritur punësimi.
E ky indikator, siç edhe mund të shihet, tregon se në Qeverinë Kurti janë shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa në të gjitha qeveritë tjera bashkë, nga viti 2012 e këtej.
Kurse sa i përket shifrës së cituar nga raporti i Bankës Botërore, në një postim tjetër mund të flasim edhe për atë indikator, por të jeni të sigurt që edhe aty kur e shohim trendin nëpër vite, Qeveria Kurti qëndron pakrahasueshëm më mirë sesa qeveritë e kaluara”, ka shkruar Murati.