image Murati kundër Ramës për autobusët elektrikë në Prishtinë, bllokon komentet pas kritikave në rrjete sociale

Politikë

Murati kundër Ramës për autobusët elektrikë në Prishtinë, bllokon komentet pas kritikave në rrjete sociale

news image

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pas njoftimit të këtij të fundit për blerjen e 15 autobusëve elektrikë dhe 2 tramvajve të rinj.

Në një postim në Facebook, Murati ka ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e procesit, duke pretenduar se Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur procedurat e parapara me ligj për këtë lloj marrëveshjeje. Sipas tij, çdo kontratë apo aranzhim i lidhur në këtë drejtim bie ndesh me Ligjin për Partneritet Publiko-Privat.

Ai ka bërë thirrje që institucionet e rendit të ndërhyjnë sa më shpejt, me qëllim parandalimin e, siç e ka cilësuar, keqpërdorimit të parasë publike.

“Komuna e Prishtinës nuk ka ndjekur asnjë procedurë që e obligon Ligji në fuqi, prandaj çfarëdo aranzhimi, marrëveshje apo kontrate që është nënshkruar në lidhje me këtë çështje, ajo është në shkelje të plotë të Ligjit për Partneritet Publiko-Privat. Organet e rendit do duhej të vepronin sa më parë në lidhje me këtë rast në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi i parasë publike”, ka deklaruar Murati.

Reagimi i tij ka nxitur një numër komentesh kritike nga qytetarët në rrjetet sociale, ku disa prej tyre e kanë akuzuar për mungesë veprimi dhe pengim të projekteve zhvillimore. “Ju vet s’punoni, edhe plus u pengojnë ata që punojnë”, ka shkruar një komentues.

Pas valës së reagimeve, Murati ka vendosur të kufizojë komentet në postimin e tij në Facebook.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/