Ministri i Financave ka zgjedhur të merret sot me pagat në kohën e qeverisjes së Ramush Haradinajt, një ditë pasi Zyra Kombëtare e Auditimit ndërhyri në një raport të saj pas vërejtjes së Hekuran Muratit se është bërë një “lëshim teknik” për çështjen e parave të shpenzuara për karburant të veturave.
Murati publikoi dy vendime për pagat gjatë kohës kur kryeministër i vendit ishte Ramush Haradinaj, ndërkaq Bedri Hamza ishte ministër i Financave.
“Kur jemi te pagat, a e dini se sa janë rritur pagat në qeverisjen PDK-AAK-Nisma, kur Kryeministër ishte Ramush Haradinaj, dhe Ministër i Financave ishte Bedri Hamza? Me datë 20 dhjetor 2017: – Rritje e pagave për 100%, për të gjitha pozitat e kabinetit qeveritar, sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor. Me datë 12 janar 2018: – Rritje e pagave për 4%, për shërbyesit publikë. Premtimet e tyre tashmë i dini, por edhe veprimet kur ata ishin në pushtet, ua kemi parë. Më poshtë i keni edhe vendimet përkatëse”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Zyra Kombëtare e Auditimit ndërhyri dje në raportin për vitin 2023, pasi Murati tha se niveli qendror ka shpenzuar 31 milionë për karburant të veturave, “duhet të jetë ndonjë lëshim teknik”.