Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se është procesuar në llogaritë e konsumatorëve pagesa e subvencionit për faturën e muajit shtator të energjisë elektrike, për të gjithë ata që kanë kursyer, sipas kushteve të masës mbështetëse.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murati ka thënë se kush kursen energjinë elektrike, fiton dyfish.
“Të gjithë përfituesit, vlerën e subvencionit mund ta shohin të reflektuar edhe në llogarinë online me furnizuesin. Secili konsumator aktiv (fatura mbi 5 euro), që ka kursyer sasinë e kWh me së paku 5% krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, përfiton subvencionim të faturës aq sa ✌️dyfishi i përqindjes së kursimit”, ka shkruar Murati.
Ai ka marrë edhe një shembull se si funksionon kjo.
“Nëse në shtator 2021 keni shpenzuar 1,000 kËh, ndërsa në shtator 2022 keni shpenzuar 800 kËh, i bie që keni kursyer 20% të energjisë elektrike. Subvencioni llogaritet duke dyfishuar përqindjen e kursimit, pra 2×20%=40%, dhe aplikohet ne vlerën e faturës së muajit aktual. Pra nëse fatura e shtatorit është 40 euro, për shkak se keni kursyer, ju përfitoni subvencion 40% x 40 euro, apo 16 euro”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, për muajin shtator, kriterin për subvencion e kanë përmbushur 167,571 konsumatorë rezidencialë të energjisë elektrike.