image Murati: Edhe bizneseve të vogla duhet t'i lejohet t'i zbresin shpenzimet e qirave e pagave nga të ardhurat e tatueshme

Biznes

Murati: Edhe bizneseve të vogla duhet t’i lejohet t’i zbresin shpenzimet e qirave e pagave nga të ardhurat e tatueshme

news image

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për politikat fiskale që Lëvizja Vetëvendosje do t’i bëjë nëse vie në pushtet, transmeton Gazeta Sinjali.

Murati ka thënë se me ligjin ekzistues bizneset e vogla janë të dënuara karshi atyre të mëdha.

“Bizneseve të mëdha u lejohet të paguajnë tatim në fitim, u mundësohen t’i bëjnë zbritjet, pagat e punëtorëve, faturat që lidhen me biznesin dhe të gjitha shpenzimet tjera. Ajo mundet me i bë zbritjet që i ka dhe në fund paguajnë 10 % në fitim”, ka thënë Murati.

“Bizneset e vogla kryesisht paguajnë 3 ose 9 % në qarkullim, varësisht prej aktivitetit. Këtyre nuk iu lejohet fare me i zbrit pagat e punëtorëve, kontributet e punëtorëve apo qiratë etj, etj”, ka shtuar ai.

Zgjidhja sipas Muratit do të jetë që edhe bizneseve të vogla t’u lejohet t’i zbresin këto shpenzime prej të ardhurave të tatueshme.

“Kur biznesi i vogël mundet me regjistru si shpenzim pagën që ia jep punëtorit, qiranë që e paguan, edhe ai ka vetincentivë si biznes se i konvenon, ka llogari për me i deklaru dhe m’u formalizu. Të gjitha këto që janë të zbritshme ia ulin fitimin, ia ulin të ardhurat e tatueshme edhe ai ka me pagu 9 % të ardhura të tatueshme e jo të gjithë qarkullimin qysh e ka tash e që realisht biznesi i  vogël si përqindje pagun më shumë sesa biznesi i madh”, ka deklaruar Murati në TV Dukagjini.

Sa i përket tatimit të pagave, ai ka thënë se tatimit duhet t’i nënshtrohen vetëm pagat mbi 250 euro.

“Nëse e kemi parapa pagën minimale 250 euro, nuk duhet të tatohet. Duhet të tatohet paga mbi 250. Aktualisht e kemi një sistem të përshkallëzuar që është 4. 8 edhe 10 e cila nuk do të ndryshojë. Fillimisht duhet ta kemi një pasqyrë reale të ekonomisë tonë, kapacitetit gjenerues të të hyrave të vendit që mundet m’i kriju ky shtet. Tek pastaj mund ta dijmë ku mund të intervenojmë me politika të reja fiskale për të kriju të hyra shtesë”, ka shtuar Murati. /Gazeta Sinjali/