Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Muratit, i cili e akuzoi për keqpërdorimin e 43 milionë eurove gjatë procesit të shpronësimit për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Këto akuza Haradinaj i cilësoi si “etiketime të ulëta”, të cilat tha se nuk e shpëtojnë Muratin dhe kryeministri, Albin Kurti, nga “dështimet e njëpasnjëshme”.
“Ministër Murati, etiketimet e ulëta nuk të shpëtojnë as ty e as shefin tënd nga dështimet e njëpasnjëshme! Tregoju qytetarëve ministër, pse po e bojkoton gazin amerikan e po e sjell gazin rus në Kosovë!? Tregoju qytetarëve se nuk keni blerë asnjë vaksinë, dhe e keni bërë Kosovën ‘kampione botërore’ për keqmenaxhim të pandemisë!
“Trego ministër, pse nuk po bëni asnjë angazhim shtesë në situatën më të rëndë e me numrin rekord të vdekjeve këto ditë? Biles as shtesa për personelin shëndetësor e as për policinë?!”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Ish-kryeministri Haradinaj kërkoi nga ministri Murati që të tregojë se audimi i brendshëm bëhet nga vetë ministria dhe si i tillë thotë se nuk është profesional.
“Tregoju qytetarëve, se përpos që hoqët taksën, nuk vendoset reciprocitetin, Serbisë ia hoqët edhe pengesën e fundit, taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, për të dëmtuar prodhimin tonë vendor! Ende nuk keni treguar pse e keni angazhu Nexhat Krasniqin, famëkeqin e tenderëve!? Trego për keqpërdorimet e buxhetit, për dhjetëra kontrata pa shpallje të nënshkruara, për anulim të projekteve kapitale!?”
Lista e përgjigjeve e sqarimeve që duhesh me ia dhanë qytetarëve është shumë e gjatë. Ne u detyruam t’i rikujtojmë disa! Dhe për fund, sqaroju qytetarëve që auditimi i brendshëm bëhet nga ti dhe punëtorët tuaj, ku shkruani çka ju teket dhe nuk është auditim profesional nga Auditori Gjeneral”, shkroi tutje ai.
Sipas Haradinajt këto akuza erdhën për shkak se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka nervozë dhe shqetësim nga sondazhet, të cilat thotë se tregojnë se ky subjekt politik ka marrë tatëpjetën.
“Fatkeqësisht nga të bëmat tuaja, po e pëson vendi dhe qytetarët”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/