image Murat Yakin e falënderon Xherdan Shaqirin: Na vjen keq t'i themi lamtumirë një rekordmeni

Euro 2024

Murat Yakin e falënderon Xherdan Shaqirin: Na vjen keq t’i themi lamtumirë një rekordmeni

news image

Pak orë pasi Xherdan Shaqiri njoftoi për largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës, Federata zvicerane mbajti konferencë për shtyp lidhur me vazhdimin e kontratës me selektorin Murat Yakin. Por tema kryesore në konferencë ishte pensionimi i Shaqirit.

Yakini i dha pak hapësirë Shaqirit në Euro 2024 dhe kjo mund të jetë arsye për tërheqjen e tij të menjëhershme.

“Të gjithë jemi njoftuar në të njëjtën kohë. Më vjen keq për këtë hap, kemi pasur raporte të mira pune. Është vendim i tij. Gjithnjë kemi thënë se situata për lojtarët meritorë pas turneut është e vështirë. E respektojmë vendimin e tij. Na vjen keq t’i themi lamtumirë një lojtari kaq brilant, një rekordmeni. Një falënderim i madh nga unë”, ka thënë Yakin.

Sipas tij, ishte e rëndësishme që Shaqiri të pranonte rolin e tij.

“E ka bërë këtë dhe ka dhënë kontributin e tij. Të dy jemi pajtuar që ritmi në SHBA nuk është i njëjtë si në Evropë. Ai ka mbështetur djemtë e ri. Shaqiri është sjellur në mënyrë profesionale. I dëshiroj çdo të mirë në të ardhmen”, ka shtuar selektori i Zvicrës.

Drejtuesit e federatës së Zvicrës kanë paralajmëruar një ndeshje përshëndetëse të Shaqirit.

“Definitivisht do të organizojmë diçka. Ai ishte njëri prej lojtarëve më të mëdhenj të Zvicrës, njëri prej më popullorëve. 125 ndeshje, shumë gola, shtatë turne – do të gjejmë një mënyrë për tifozët që ta kujtojnë Shaqirin dhe t’i themi faleminderit”, ka thënë Pierluigi Tami, drejtor i përfaqësueses së Zvicrës.

/GazetaSinjali/