image Murat Jashari flet për Sinjalin, deklarohet për çështjen e Presidentit

Kosovë

Murat Jashari flet për Sinjalin, deklarohet për çështjen e Presidentit

news image

Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë është një temë e ‘nxehtë’ që po diskutohet si në publik ashtu edhe nga partitë politike në vend. Emri më i përfolur për president jo vetëm këto ditë por edhe më parë është Murat Jashari, nipi i komandantit Adem Jashari, shkruan Gazeta Sinjali.

Murat Jashari është përmendur mbrëmë edhe nga kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, si i duhuri për pozitën e Presidentit të vendit.  

Gazeta Sinjali e ka kontaktuar Murat Jasharin për ta pyetur se si i sheh këto diskutime për çështjen e Presidentit, të cilën ai e ka quajtur si një çështje madhore për vendin.

“Pozita e presidentit është një çështje kaq madhore dhe e ndjeshme për shoqërinë tonë por në këto momente nuk mundem të prononcohem për shkaqe objektive. Fjala publike ka peshë të madhe dhe mendoj se njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm në komunikim me opinionin”, tha Jashari për Sinjalin.

Bekim Jashari mbrëmë në një televizion tha se “më i miri për këtë pozitë është Murati. Nëse 2/3 bien dakord për, atëherë adresa është Murati”.

Përveç Bekim Jasharit, edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka thënë se e përkrahin fuqishëm idenë që Murat Jashari të zgjidhet president.  

“Është zgjidhje e mirë. Në këtë moment është zgjidhja më e mirë e mundshme. Kjo do të ishte zgjidhja më adekuate, nëse arrijmë ta gjejmë një konsensus”, është shprehur Limaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pretendon se në postin e presidentit duhet të jetë lideri i saj Ramush Haradinaj.

Përveç Ramush Haradinajt, edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka nxjerrë argumente lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, përmes studiove televizive. Në këtë debat është përfshirë edhe subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka bërë të ditur që në rast se kërkohen votat e tij për zgjedhjen e presidentit të vendit, atëherë emri i presidentit duhet të propozohet nga kjo parti.

/GazetaSinjali/