Numri i anesteziologëve që po largohen nga QKUK-ja është bërë shqetësues. Ndryshe nga specialistët e tjerë, ata po vazhdojnë angazhimin në spitale private në vend. SHSKUK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ngritur një komision për të vlerësuar se si mund të bëhet zgjidhje por kjo nuk duket të bëhet shpejt.
“Gjatë këtij viti do të hapen edhe disa spitale të mëdha private dhe ata pritet të marrin edhe nga 3 a 4 anesteziologë dhe ja ku janë sa minus dhe kjo ulë numrin e anesteziologëve dhe krijohet situatë e rëndë”, ka thënë, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.
Zgjidhja e këtij problemi duket të jetë larg. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se janë duke punuar në një komision bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë ku do të analizohen mundësitë për të zbutur mungesën e anesteziologëve por që sipas tij kjo merr kohë.
“Ne presim nga MSH-ja që të shikoj hapësirat ligjore që për këto kuadro deficitare të ketë rekrutime ose hapje të konkurseve për specializime por kjo merr kohë. Së fundmi janë larguar 3 anesteziologë derisa edhe dy të tjerë pritet të pensionohen deri në muajin qershor”, ka thënë Valbon Krasniqi për RTK-në.