image Mungesa e deputetëve e pamundëson shqyrtimin e Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik

Politikë

Mungesa e deputetëve e pamundëson shqyrtimin e Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik

news image

Në mungesë kuorumi është shtyrë mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë e Transfere aty ku do të duhej të diskutoheshin dy Projektligjet ai për Zyrtarët Publikë dhe i Pagave të cilët nesër do të jenë për shqyrtim të dytë në seancë plenare.

Megjithatë, i njëjti takim që dështoi këtë paradite për mungesë kuorumi, pritet që të mbahet në orët e pasdites apo nesër në mëngjes para nisjes së seancës ku janë të parapara edhe këto dy pika.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja tha se arsye e mungesës së kuorumit është udhëtimi i disa deputetëve me vendim të Kryesisë.

“Ne jemi informuar që me vendim të Kryesisë një grup deputetësh anëtarë të këtij Komisioni në kuadër të Grupit të Miqësisë Kosovë-Turqi kanë pasur udhëtim, ata do të kthehen sot pasdite. Edhe dy deputet të tjerë na kanë njoftuar që janë në një udhëtim tjetër, ata të gjithë janë anëtarë të këtij Komisioni. Rrjedhimisht në këtë fazë, ne mund të konstatojmë që për sot nuk kemi kuorum për të mbajtur mbledhje”, ka njoftuar Muja, por gjithsesi tha se për shkak të vendimit të Kuvendit duhet ta rezervojnë të drejtën të takohen sot pasdite ose nesër në mëngjes para seancës për të trajtuar këto pika.

Kuvendi i Kosovës javën e shkuar kaloi në lexim të parë të dy Projektligjet atë për Paga dhe për Zyrtarët Publikë, derisa të njëjtat do të shqyrtohen me procedura të përshpejtuara nesër, për çka ka pasur kritika të ashpra nga opozita, madje është paralajmëruar se të njëjtat mund të përfundojnë në kushtetuese.

/GazetaSinjali/