Shoferit kosovar, Dukagjin Lyta, i cili dyshohet se e shkaktoi aksidentin e tmerrshëm të dielën në Kroaci, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij, Igor Cisper tha se Lyta nuk i ka thënë atij se e kishte zënë gjumi gjatë vozitjes.
“Në asnjë moment ai nuk më tha se e zuri gjumi”, tha Igor Cisper, avokati i shoferit, duke shtuar se nuk mund tregojë se çfarë i ka thënë klienti i tij.
52-vjeçari do të mbrohet juridikisht edhe nga avokati tjetër Ljubo Pavasoviq Viskoviq.
Por të dielën, zëvendësi i Prokurorit Komunal të Shtetit në Kroaci, Slavko Pranjiq, tha se shoferi i kishte thënë se e kishte zënë gjumi për një moment gjatë vozitjes.
“Shoferi u arrestua nën dyshimin për drejtimin e automjetit në mënyrë të papërshtatshme. Cilat janë arsyet për këtë, nuk mund të themi tani për tani. Ai deklaroi se e zuri gjumi për një moment, por ne do ta përcaktojmë atë më vonë” kishte deklaruar Pranjiq.
Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë persona vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod në Kroaci u dërgua dje në Prokurori, ku u mbrojt në heshtje. Ai do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë.
Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit të trafikut në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim.