image “Mua s’më është fshirë ngjyra” – Radoniqi reagon pas polemikave për votimin

Politikë

“Mua s’më është fshirë ngjyra” – Radoniqi reagon pas polemikave për votimin

news image

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka reaguar ndaj raportimeve dhe shqetësimeve të ngritura gjatë ditës së votimit lidhur me mundësinë e fshirjes së ngjyrës identifikuese që vendoset në gishtat e votuesve.

Në konferencën e rregullt për media pas orës 15:00, Radoniqi tha se personalisht nuk ka hasur në një problem të tillë, duke shtuar se qëndrueshmëria e ngjyrës mund të varet edhe nga mënyra dhe momenti i aplikimit të saj.

Sipas tij, edhe në rastet kur ngjyra mund të zbehet ose të hiqet pjesërisht, procesi zgjedhor përmban mekanizma të tjerë sigurie që e bëjnë të pamundur votimin e dyfishtë.

“Përveç shenjës në gisht, ekziston edhe sistemi i nënshkrimit të votuesve dhe procedura të tjera verifikuese që garantojnë integritetin e procesit”, deklaroi Radoniqi.

Ai theksoi se nuk pret tentativa për keqpërdorim të procesit zgjedhor dhe se deri tani nuk ka raportime që do të ngrinin dyshime serioze për votim të shumëfishtë.

Deklarata e kreut të KQZ-së vjen pasi në rrjetet sociale dhe në disa qendra votimi u raportuan raste kur ngjyra në gishta mund të hiqej relativisht lehtë, duke nxitur diskutime mbi efektivitetin e kësaj mase identifikuese.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/