image MTI e largon nga shërbimi civil drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore

Politikë

MTI e largon nga shërbimi civil drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore

news image

Komisioni Diciplinor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) sot ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil drejtorin e Departamentit të Rezervave Shtetërore në ministri, Arton Mucajn, raporton Gazeta Sinjali.

Siç theksohet në vendimin që e ka siguruar Sinjali, kjo masë ndëshkimore vjen për shkak se ai ka lidhur kontrata jashtëligjshëm pa pëlqimin e ministrit, nuk i ka përmbushur detyrat e tij duke bërë shkelje të rënda të detyrave të punës.

Ai gjithashtu thuhet se ka nënshkruar kontrata për deponi, si dhe nuk ka raportuar te sekretari i Ministrisë rreth lidhjes së kontratave, duke mos e respektuar hierarkinë institucionale.

Komisioni Diciplinor paraprakisht i ka mbajtur tri seanca për këtë çështje, ndërsa më 1 korrik, sekretari i përgjithshëm i MTI-së ka parashtruar inicimin e procedurës diciplinore për Mucajn, për shkak të, siç konstatohej, shkeljeve të rënda të detyrave të punës.

Në arsyetimin për shkarkimin e Mucajt thuhet se ai “në pozitën e drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore ka tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tij ligjore nga pozita që mban, duke nënshkruar kontrata me palët për rezerva shtetërore për “Shërbimet e derivateve të naftës -dizelit si rezervë obligative shtetërore” si dhe për “Shërbimet e deponimit të produkteve agro-ushqimore dhe ujit si rezervë shtetërore”, kontrata me nr 2603 të datës 04.06.2020, pa e njoftuar mbikqyrësin/eprorin duke ju shmangul obligimeve që i ka me ligjet në fuqi”.

Gazeta Sinjali kishte raportuar për menaxhimin skandaloz të rezervave shtetërore në rastin e zhdukjes së 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore në prill të vitit të kaluar.

Shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë e cila ishte e deponuar në kompaninë “Universal Food”, ta bartte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga ministria për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave. Ndërsa gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 669 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë.

Bazuar në çmimin e grurit, i bie që Kosovës i mungojnë rreth 630 mijë euro sasi gruri.

Pas këtij raportimi, më 30 prill, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës kishin nisur hetimet.

Për detajet sesi u zhduk gruri nga rezervat shtetërore, klikoni më poshtë për ta lexuar raportimin e Gazetës Sinjali të datës 11 mars. /Gazeta Sinjali