Ministria e Shëndetësisë i ka reaguar nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës, i cili sot e akuzoi këtë digaster dhe ministrin Armend Zemaj për licensimin e disa laboratorëve privatë.
MSH-ja thotë se Bordi për Licensim të Institucioneve Shëndetësore Private ka bërë licensimin e vetëm atyre laboratorëve që i kanë plotësuar kriteret.
“Lidhur me deklarimin e deputetit Glauk Konjufca sot në një konferencë për media se kinse Ministria e Shëndetësisë për kryerje të testimeve për COVID-19 ka licensuar laboratorë privatë të cilët nuk janë as të regjistruar si biznese, Bordi për Licensim të Institucioneve Shëndetësore Private i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se ky bord ka bërë licensimin e vetëm atyre laboratorëve të cilët i kanë plotësuar kriteret”, thuhet në reagim.
Tutje MSH thotë se certifikata e biznesit nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve për COVID-19.
“Sa i përket certifikatës së biznesit, ajo nuk është kriter i aplikimit për lëshimin e lejes për kryerjen e testeve COVID-19 , duke qenë se institucionet kanë pasur licensa valide si veprimtari dhe ato e kanë pasur për obligim që certifikatën e biznesit ta dëshmojnë në momentin e aplikimit për licensimit të institucionit si tërësi”, thuhet në reagimin e MSH-së.
“Për informim të drejtë, shërbimi i testimit është një shërbim shtesë në kuadër të institucioneve të licensuara edhe më parë për ushtrim të veprimtarive të ndryshme mjekësore. Përndryshe, pa certifikatë të biznesit, ato nuk mund të licensohen për ushtrimin e asnjë veprimtarie shëndetësore”, thekson tutje Ministria e Shëndetësisë.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë dhe nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca gjatë një konference për media tha se Qeveria Hoti ka dështuar me mbikëqyrjen e situatës.
Ai theksoi se ministri Zemaj ka licensuar laboratorë privat për kryerjen e testimeve për COVID-19 e të cilët nuk janë as të regjistruar si biznese. /Gazeta Sinjali