image MSh e bindur se plani i vaksinimit masiv po shkon siç duhet

Shëndetësi

MSh e bindur se plani i vaksinimit masiv po shkon siç duhet

news image

Muaji gusht shënoi rritjen më të madhe të rasteve të reja dhe viktimave nga COVID-19, shkruan Sinjali. Por përgjatë kësaj kohe është rritur edhe numri i personave që e kanë marrë vaksinën.

Afër një milion doza të vaksinës janë administruar nga qendrat e vaksinimit, prej tyre 307,467 qytetarë e kanë marrë edhe dozën e dytë.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, ka thënë që mbi 600 mijë vaksina janë dispozicion, që të gjitha nga Pfizer.

“Mbi 600 mijë vaksinave janë në dispozicion dhe të gjitha janë të kompanisë farmaceutike Pfizer”, kanë thënë nga MSh.

Ndërkaq sa i përket planit të vaksinimit masiv të popullsisë, Msh ka thënë që ai është duke u zbatuar.

“Plani shtetëror i vaksinimit dhe plani i vaksinimit në masë kundër COVID-19 janë plane në të cilat bazohet dhe zhvillohet vaksinimi. Prej qershorit vaksinimi zhvillohet sipas Planit të vaksinimit në masë dhe mbi 400 mijë doza të vaksinës së administruara në gusht janë një tregues që plani është real dhe i zbatueshëm”, thuhet në këtë përgjigje.

Por, sipas aplikacionit ‘eKosova’ termin të lirë për vaksinim në Prishtinë ka vetëm prej 11 shtatorit e tutje. Ndërsa në Drenas prej datës 12 shtator, raporton Sinjali.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë që kanë kontratë me Pfizer për 1.2 milion vaksina mirëpo diskutimet për vaksina të tjera janë aktive.

“Msh ka në fuqi kontratën me Pfizer, prej të cilës do të merren edhe vaksina tjera, sepse kjo kontratë parashikon sigurimin total të 1.2 milion vaksinave dhe normalisht që negocimet për vaksina tjera janë gjithmonë aktive, për aq kohë sa ka nevojë për to, qoftë për blerje ose donacione”, kanë thënë nga MSh.

Dje në Kosovë kanë arritur mbi 500 mijë vaksina Pfizer, ndërsa sot Presidentja Osmani tha që Polonia do t’ia dhurojë Kosovës 100 mijë vaksina.

/GazetaSinjali/