Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas raportimeve të mediave në lidhje me shkëputjen e kontratës me operatorin për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike.
Në një reagim, MPJ ka fajësuar operatorin ekonomik për vonesa “të papranueshme”:
“Në lidhje me raportimet e mediave rreth shkëputjes së kontratës me operatorin ekonomik për ofrimin e Shërbimeve Postare Diplomatike, njoftojmë opinionin publik se operatori ekonomik i cili ishte përzgjedhur me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit në muajin qershor të këtij viti, ka shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumenteve. Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”.
Tutje, sipas MPJ-së, nuk kanë humbur pasaportat e mërgimtarëve, por vetëm “janë vonuar”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.
MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”.