image MPB s’arrin t’i intervistojë kandidatët për Drejtor të Policisë as një muaj pas mbylljes së konkursit

Siguri

MPB s’arrin t’i intervistojë kandidatët për Drejtor të Policisë as një muaj pas mbylljes së konkursit

news image

Pas dorëheqjes së Drejtorit të Policisë së Kosovës Samedin Mehmetit, Ministria e Punëve të Brendshme me 7 shtator 2022 kishte shpallur konkursin për Drejtor të përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ku kishin konkurruar 5 kandidatë.

Derisa konkursi ishte mbyllur me 21 shtator të këtij viti, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar për kandidatët  të cilët po synojnë  postin e të parit të Policisë e ata janë: Bahri Shala, Gazmend Hoxha, Fatos Haziri, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.

Edhe pse janë bërë një muaj nga përfundimi i  konkursit, akoma nuk është formuar Komisioni për Intervistim të kandidatëve për drejtor të Policisë.

Nga Zyra për Media e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë për Gazetën Sinjali, se konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është mbyllur më 21 shtator të këtij viti.

Sipas tyre në këtë konkurs kanë aplikuar 5 kandidatë.

“Momentalisht procesi është në fazën e themelimit të komisionit i cili do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtij procesi”, theksojnë nga Zyra për Media e MPB-së për Gazetën Sinjali.

Kush janë kandidatët të cilët kanë aplikuar për drejtor të Policisë?

Bahri Shala i cili ka gradën nënkolonel, është drejtor i Forenzikës, ndërsa kandidati tjetër, Gazmend Hoxha po ashtu nënkolonel, është drejtor i Departamentit për Operacione.

E gradën nënkolonel e mbajnë edhe Fatos Haziri, i cili është drejtor i Trajnimeve, Granit Fetahu që është drejtor i Ruajtjes së Objekteve me Rëndësi të Veçantë dhe Sllagjana Stojanoviq e cila është shefe e Sektorit të Administratës në Mitrovicën e Jugut.

/GazetaSinjali/