Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje sërish qytetarëve serbë që t’i regjistrojnë me targa RKS automjetet me targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.
Sipas MPB-së në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve do të vazhdojë regjistrimi i mjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022.
Qeveria e Republikës së Kosovës, me datë 28.10.2022 ka marrë Vendimin Nr.05/103 me të cilin ka vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023.
Më tej në njoftiminin e MPB-së thuhet se qytetarët kanë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targa ilegale në targa RKS deri me datë 31 mars 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që kanë.
“Me vendimin e ri, nga data 1 nëntor 2022, të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, do të shqiptohet masa e qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, thuhet nga MPB.
Sipas njofitmit nga data 21 nëntori deri me datë 21 janar, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE” “DA” apo “ĐA”, do të shqiptohet gjobë sipas legjislacionit në fuqi, në lartësi prej 150 euro.
Në njoftim thuhet se nga data 21 Janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Nga data 31 mars deri me datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës.
“Duam të sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se ky proces ka për synim ligjshmërinë në shtetin tonë, rritjen e sigurisë në trafik dhe nuk është i drejtuar ndaj asnjë etnie të caktuar”, thonë MPB-ja.
MPB ftojnë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces.