image Mozaiku 2000-vjeçar, sensacioni i gjysmëshekullit në Londër - Sinjali

Mozaiku 2000-vjeçar, sensacioni i gjysmëshekullit në Londër

news image

Mozaiku i përbërë nga dy pjesë “pllakash mahnitëse komplekse” daton prej fundit të shekullit II, gjegjësisht fillimit të shekullit III

Mozaiku romak 2000-vjeçar, i cili u gjet gjatë gërmimeve në Londrën qendrore, është më i madhi i zbuluar në këtë qytet në pesë dekadat e fundit, janë konstatimet e publikuara në “All thats interesting”. Siç shkruhet, mozaiku i përbërë nga dy pjesë “pllakash mahnitëse komplekse” daton prej fundit të shekullit II, gjegjësisht fillimit të shekullit III.

“Kjo është një gjetje që ndodh një herë në jetë në Londër”, ka thënë mbikëqyrësja e Muzeut Arkeologjik të Londrës, Antonieta Lerz.

Arkeologët e këtij muzeu kanë gjetur mozaikun derisa po gërmonin në themelet e një objekti afarist-banesor në “The Liberty of Southwark” afër Urës së Londrës. Derisa shoshitnin nëpër bërllok, befas diçka ua tërhoqi vëmendjen.

“Kur shenjat e para të ngjyrave filluan të shfaqen në sipërfaqe, të gjithë në vendngjarje ishin shumë të emocionuar”, ka shpjeguar Lerz.

Arkeologët zbuluan përfundimisht një mozaik romak i përbërë nga dy panele që shtrihen në 7.8 metra katrorë. Paneli më i madh ka një lule zambaku uji, modelin “Nyja e Solomonit” dhe fijet e ndërthurura.

Paneli më i vogël është më i thjeshtë, por përfshin disa prej modeleve të ngjashme me gurë të kuq e të zinj. Historianët kanë parë mozaikë të ngjashëm edhe në vende të tjera.

Eksperti i mozaikëve romakë, David Neal, beson se paneli më i madh i mozaikut është realizuar nga grupi “Acanthus”, i cili zhvilloi një stil unik në Londër. Siç raportohet, paneli më i vogël ka një ngjashmëri të habitshme me atë të gjetur në Trier të Gjermanisë, që mund të nënkuptojë se artizanët londinezë e kanë transferuar zanatin e tyre jashtë vendit.

Të dy mozaikët besohet se zinin vend në një triklinium, lloj dhome ngrënieje zyrtare në të cilën romakët e lashtë të klasit të lartë shtriheshin në divane, bisedonin dhe admironin dyshemenë e bukur.

Arkeologët po ashtu gjetën dëshmi të një ndërtese të madhe pranë, e cila mund të ketë qenë shtëpia private e një romaku të pasur, ku zbuluan një karficë bronzi, një kapëse flokësh dhe një gjilpërë.

“Këto zbulime lidhen me femrat me status të lartë që kanë ndjekur modën më të fundit dhe modelet e fundit të flokëve”, ka thënë Lerz. Ajo ka theksuar se ndërtesat në atë lokacion i takonin një statusi dhe se njerëzit që jetonin atje bënin një “jetë të mirë”.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin