image Motra e Adelina Sejdinit kërkon drejtësi për vdekjen e shqiptares që shkatërroi grupin e prostitucionit në Itali

Shqipëri

Motra e Adelina Sejdinit kërkon drejtësi për vdekjen e shqiptares që shkatërroi grupin e prostitucionit në Itali

news image

Adelina Sejdini, 46-vjeçare e lindur në Durrës të Shqipërisë, dyshohet se ka kryer vetëvrasje, duke u hedhur nga një urë në Itali, pasi iu mohua nënshtetësia italiane. Ajo kishte bashkëpunuar me autoritetet italiane për të shkatërruar një grup mafioz që shfrytëzonte vajzat për prostitucion.

Falë denoncimit të saj u arrestuan 40 persona dhe u akuzuan 80 të tjerë. Tashmë motra e saj Ermira, e cila jeton në Pavia, kërkon drejtësi. Ajo u shpreh për mediat italiane se motra e saj e kishte kaluar jetën duke ndihmuar të tjerët dhe kur ishte ajo që kishte nevojë për ndihmë askush nuk e mbështeti

Ermira kërkon të dijë atë që ka ndodhur, pasi trupi i pajetë i motrës ende nuk i është dorëzuar. Ajo shton se nga institucionet italiane ka marrë vetëm një telefonatë për të vënë në dijeni të atin se e motra kishte ndërruar jetë, shkruan abcnews.

Adelina Sejdini ishte e dëshpëruar, pasi leje qëndrimi i ishte hequr dhe i ishte lënë vetëm nënshtetësia shqiptare. Ajo bëri të mundur arrestimin e personave që e shfrytëzuan për prostitucionin, pjesa më e madhe e të cilëve i përkiste mafias shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në të gjithë Italinë, dhe priste nënshtetësinë italiane.

Adelina mbërriti në Itali në moshën 22 vjeçare nga Shqipëria në vitin 1996. Ajo u dhunua për vite të tëra, u përdhunua dhe u nxor në rrugë. Por gjeti forcën për të denoncuar dhe për të dalë nga ai ferr. Por në fund u ndje e braktisur nga shteti italian, pa një shtëpi, invalide 100%, me kancer gjiri dhe e privuar nga nënshtetësia që i takonte me të drejtë.

Jetonte në Pavia, por për të protestuar kundër burokracisë, në fund të tetorit shkoi në Romë pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore, me shpresën për t’u takuar me presidentin e Italisë, Matarela. Ose të paktën me zyrtarë të ministrisë së brendshme italiane.

Pikërisht para presidencës italiane, në 28 tetor ajo i vuri zjarrin vetes. Por u shpëtua dhe u shtrua në spital me djegie të rënda. Me vendim të autoriteteve italiane, ajo duhej të kthehej në Pavia por qëndroi në Romë dhe në 8 nëntor vrau veten duke u hedhur në shinat e trenit. Ishte 47 vjeç. Policia hekurudhore italiane ka nisur hetimet për të zbardhur detajet e tragjedisë. /Gazeta Sinjali/