image Motivi fetar dyshohet se shkaktoi përleshjen në Stanovc të Vushtrrisë, pamje se si u sulmua 30-vjeçari

Siguri

Motivi fetar dyshohet se shkaktoi përleshjen në Stanovc të Vushtrrisë, pamje se si u sulmua 30-vjeçari

news image

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim për dy personat e përfshirë në incidentin që ndodhi në Stanovc të Ulët të Vushtrrisë, javën e kaluar, kur një përleshje eskaloi në sulm e kërcënime. Ndaj Sabit Musliut (52-vjeçar) dhe Sedat Islamit (30-vjeçar) është marrë vendim për caktimin e masës së arrestimit shtëpiak. Musliu dyshohet se ka kryer veprën penale “lëndim i rëndë trupor”, ndërsa Islami për veprën “sulm”. Familja e këtij të fundit po e konsideron si të padrejtë këtë vendim, pasi sipas tyre Islami është vetëmbrojtur kur është sulmuar me shufër metalike.  

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me avokaten e Islamit, e cila i ka konfirmuar pohimet e familjarëve, se ngjarja sipas klientit të saj, Sedatit, mund të ketë ndodhur për shkak të motiveve fetare.

“Ne kemi bërë ankesë. Klienti jem ka deklaru se rasti ka ndodhur për motive fetare, por edhe se ai (Sabit Musliu) po dëshiron më shku jashtë vendit, sepse atje e ka gruan. Kështu sipas tij, ai e ka inskenuar rastin, gjoja se ka probleme në Kosovë e dëshiron me shku te gruaja, me bë bashkim familjar. Sedat Islami është musliman, atij tjetrit i pengon, madje thuhet që e ka vizitu kryqin në shtëpinë e vet”, tha avokatja e Islamit.  

Tutje, ajo tha për Sinjalin se Sedati është sulmuar me shufër metalike, për çka ka marrë lëndim të rëndë në kokë, ndërsa kur e ka marrë sëpatën në dorë e ka bërë për vetëmbrojtje sepse është ndier i rrezikuar.

Njëjtë ka deklaruar edhe vëllai i Sedatit, i cili ka thënë për Sinjalin se vëllai i tij pasi është sulmuar nga Sabiti, s’ka qenë në gjendje ta godas dikë. Ai u shpreh i mllefosur se si Prokuroria po e cilëson Sedatin si të dyshuar, kur ai është sulmuar në shtëpinë e tij.

Sinjali ka siguruar edhe disa fotografi, ku shihet pjesa e pasme e kokës së Sedatit në të cilën është intervenuar pas sulmit.

Ndërkohë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë e kanë konfirmuar për Sinjalin se kërkesa e tyre për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve është refuzuar dhe se ndaj vendimit për arrest shtëpiak kjo prokurori ka paraqitur ankesë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/