Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore relativisht të qëndrueshme, të cilat do të sjellin mot kryesisht me diell dhe vranësira të herëpashershme.
Sipas parashikimeve, temperaturat do të jenë tipike për muajin korrik, me mëngjese të freskëta dhe ditë të ngrohta. Mundësi për riga lokale shiu parashihen të hënën dhe të martën, kryesisht në zona të izoluara, ndërsa pjesa tjetër e javës pritet të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm.
Të hënën, moti do të jetë kryesisht me diell dhe vranësira të lehta, të cilat vende-vende mund të sjellin ndonjë rigë shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 26 deri në 30 gradë. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi.
Edhe të martën parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me mundësi për riga të izoluara shiu kryesisht gjatë pasdites. Temperaturat minimale do të jenë nga 10 deri në 14 gradë, ndërsa maksimalet nga 25 deri në 28 gradë Celsius.
Nga e mërkura deri të premten, moti do të mbetet kryesisht i qëndrueshëm, me diell dhe vranësira kalimtare. Temperaturat maksimale do të lëvizin ndërmjet 24 dhe 29 gradë Celsius, duke sjellë kushte tipike verore.
Në qytetet kryesore të vendit, temperaturat më të larta të hënën pritet të regjistrohen në Prizren, Gjakovë, Istog dhe Junik, ku termometri mund të arrijë deri në 30 gradë Celsius. Në Prishtinë pritet deri në 28 gradë, ndërsa në Dragash rreth 26 gradë.
Sipas IHMK-së, kushtet agrometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për kulturat bujqësore, megjithatë reshjet e lehta lokale nuk do të jenë të mjaftueshme për nevojat ujore të bimëve, prandaj rekomandohet vazhdimi i ujitjes, sidomos për kulturat perimore.
Instituti shton se moti do të jetë i përshtatshëm edhe për zhvillimin e korrje-shirjeve të grurit, me ndërprerje të mundshme vetëm në disa zona për shkak të rigave të shkurtra të shiut.
Po ashtu, kushtet biometeorologjike pritet të jenë të favorshme për shumicën e qytetarëve, falë temperaturave të këndshme në mëngjes dhe mbrëmje dhe mungesës së vapës ekstreme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!