image Mospajtime mes mbrojtjes së Veselit dhe Prokurorisë për afatin e dorëzimit të dosjes paraprake

Drejtësi

Mospajtime mes mbrojtjes së Veselit dhe Prokurorisë për afatin e dorëzimit të dosjes paraprake

news image

Përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit paraprak, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar që të hedhet poshtë kërkesa e mbrojtjes së Kadri Veselit, me anë të së cilës ishte kërkuar që dosja paraprake e prokurorisë të dorëzohet deri më 1 qershor 2021.

Sipas kësaj shkrese, më 24 Mars 2021,  mbrojtja e Kadri Veselit ka paraqitur kërkesën e saj paraprake në lidhje me kohën e dosjes paraprake të prokurorisë.

Në shkresë thuhet se pasi u soll në vëmendjen e mbrojtjes së Veselit se për kërkesën ishte vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake, pothuajse dy javë më parë në 12 Mars 2021, mbrojtja e Veselit parashtroi kërkesën e saj që ZPS të urdhërohej të paraqiste dosjen paraprake, kësaj radhe deri më 1 qershor 2021, raporton BPD.

Tutje, thuhet se ZPS ka treguar qartë datën më të hershme në të cilën mund të sigurohet një material paraprak gjyqësor i lidhur me Rregulloren 95 (4), dhe arsyetimin për atë kohë.

Sipas ZPS-së, ajo që në fakt kërkon mbrojtja e Veselit është një përmbysje e plotë e procesit paragjyqësor, në formën e një përmbledhje paragjyqësore para se të përfundohen listat e dëshmitarëve dhe provave ose të zbulohen materialet përkatëse.

“Jo vetëm që një kërkesë e tillë është në kundërshtim me logjikën, me praktikën përkatëse dhe me kornizën e zbatueshme, por mbrojtja e Veselit, nuk ka dhënë asnjë bazë për një masë të tillë të jashtëzakonshme. Në të vërtetë, siç e ka përshkruar më parë ZPS, parashtresat që mbështesnin kërkesat ishin të pabazuara”, thuhet në këtë shkresë.

Sipas ZPS-së, kjo kërkesë nuk reflekton asgjë më shumë se mospajtim me  vendimin e gjyqtarit paraprak mbi kërkesën dhe është një përpjekje e pambështetur për të kërkuar rishikimin e saj, duke kërkuar përsëri pa bazë një përmbledhje para-gjyqësore.

Tutje, thuhet se kjo kërkesë mund dhe duhet të hedhet poshtë dhe se gjithashtu dështon në meritat e saj.

Më 18 nëntor ishte mbajtur konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

/GazetaSinjali/