Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim me Evropë (OSBE) ka reaguar pas moscertifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
OSBE e ka marrë me shqetësim moscertifikimin e Listës Serbe.
Në një reagim të kësaj organizate është thënë se procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe”, është thënë në reagimin e OSBE-së.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet tutje në reagim.
Për moscertifikimin e Listës Serbe ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Ambasada e Gjermanisë.