image “Mosbindja civile” zgjati 3 orë: Protestuesit e PD-së i vënë flakën objektit të PS, 10 policë të lënduar

Shqipëri

“Mosbindja civile” zgjati 3 orë: Protestuesit e PD-së i vënë flakën objektit të PS, 10 policë të lënduar

news image

Protesta e opozitës në Shqipëri, e shoqëruar me molotov, gaz lotsjellës dhe përplasje, ku ashtu siç ishte paralajmëruar, u mbajt pa fjalime, ka zgjatur rreth tre orë, raporton TCH, transmeton Sinjali.

Mbështetësit e opozitës, me në krye deputetët e grupit parlamentar e nisën tubimin nga Kryeministria, aty ku mes pankartave e brohorive u hodh molotov drejt goditës.

Si pasojë, pemët pranë Kryeministrisë morën flakë, por zjarrfikësit dhe policia morën masa të menjëhershme.

Më pas, protestuesit mes makinave dhe duke bllokuar trafikun, u zhvendosën drejt selisë së Partisë Socialiste, ku situata u tensionua.

Sërish u hodh molotov drejt selisë, duke bërë që godina të marrë flakë.

Pas selisë së PS, deputetët marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, aty ku u hodhën molotov, që rrezikuan shumë protestues dhe efektivë të policisë.

Në një deklaratë, policia tha se dhjetë policë janë lënduar, ndërsa nga pamjet duken që disa protestues u përfshinë nga flakët.

Destinacioni i fundit ishte Kuvendi, por policia nuk i lejoi të grumbulloheshin.

Drejt protestuesve u hodh gaz lotsjellës, duke i detyruar të shpërndaheshin në drejtime të ndryshme.

/GazetaSinjali/