Një konflikt familjar ka eskaluar pak para mesnatës në Prishtinë, pasi një i ri dyshohet se sulmoi vëllain e tij pasi ky i fundit nuk e lejoi ta merrte veturën për të dalë në qytet, mëson Sinjali nga burimet.
Ngjarja ka ndodhur më 9 maj 2026 rreth orës 23:30 në rrugën “Lefter Bica”.
Sipas informatave, R.D (32-vjeçar) kishte kërkuar ndihmën e Policisë duke raportuar se ishte sulmuar nga vëllai i tij, B. D (29-vjeçar).
Burimet bëjnë të ditur se sipas ankuesit, i dyshuari është përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte insistuar ta merrte veturën për të dalë vetëm në qytet.
Por pasi vëllai nuk e kishte lejuar për shkak të sigurisë, situata kishte eskaluar në konflikt fizik.
Sinjali mëson se në rast është intervistuar edhe një dëshmitar tjetër, B. D (53-vjeçar).
Pavarësisht incidentit, nga rasti nuk janë raportuar persona të lënduar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit – Departamenti për Dhunë në Familje, rasti është iniciuar si: “Dhunë në familje”,
ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!