Një grua 32-vjeçare u mor me vete nga një dallgë gjigande përpara syve të fëmijëve të saj, teksa bënte foto krah bashkëshortit në Mumbai të Indisë.
Viktima, e identifikuar si Jyoti Sonar, ishte ulur në një shkëmb krah të shoqit dhe po pozonin për foto, ndërkohë që fëmijët e tyre i shihnin në distancë.
E gjithë ngjarja tragjike ndodhi më 9 Qershor, por vetëm tash bëri bujë pasi u publikua filmimi i kamerës. 32-vjeçarja shihet që ka kapur për krahu bashkëshortin dhe të dy janë të qeshur, ndërsa pas tyre dallgët përplasen në shkëmbinjtë ku po qëndrojnë. Në një moment një dallgë masive i mbulon, duke i marrë jetën gruas. Fëmijët dëgjohen teksa të dëshpëruar thërrasin për mamanë e tyre.
Mediat e huaja raportojnë se bashkëshorti i viktimës, Mukesh Sonar, u përpoq që ta shpëtonte 32-vjeçaren, por pa sukses, ndërsa vetë ai u shpëtua nga njerëzit që ndodheshin aty pranë.
“Humba ekuilibrin dhe të dy rrëshqitëm. Një burrë po më mbante ndërkohë që kapa gruan, por nuk munda të shpëtoj”, ka deklaruar Sonar për policinë lokale, shkruan The Independent.
Trupi i pajetë i 32-vjeçare mësohet se është gjetur një ditë më pas nga roja bregdetare e Mumbait, pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth 20 orë.