Zyrtari policor në nënstacionin policor në Vitomiricë të Pejës, Skender Arifaj, i cili u arrestua nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, pritet që sot të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka siguruar pamje nga momenti kur Arifaj i prangosur ka arritur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Operacioni i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, erdhi pas hetimeve disamujore, prej kur morën informacionin se zyrtari policor dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Aksioni u zhvillua në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
IPK njoftoi se gjatë kontrollit nga IPK janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.