image Molliqaj për rezultatet e zgjedhjeve: Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt

Molliqaj për rezultatet e zgjedhjeve: Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt

news image

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale që u mbajtën dje në Kosovë, duke thënë se “Inflacioni politik ka sjellë rënie elektorale”.

Molliqaj ka thënë se rënia e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje ka ndodhur sepse, sipas tij, këta të fundit nuk kanë kuadro dhe janë të reduktuar e të mbyllur te një emër, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.

“Mbi të gjitha, kjo vetëm rastësi nuk mund të jetë. Pushteti ‘Krejt dhe Drejt!’ është i reduktuar dhe i mbyllur tek një emër. Duke qenë kështu, ky është rezultati më i logjikshëm i bazës ideologjike e organizative të VV-së. Ndaj, qoftë suksesi, qoftë dështimi i atribuohen një emri të përveçëm. VV nuk njeh nocione si shumësia apo autonomia. Njeh rreshtin e bindjes, pavarësisht ideologjisë”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Ai tha se Kurti i ka shkaktuar inflacion fjalorit politik me thirrjet e tij për të votuar Mimoza Kusarin e Agim Bahtirin.

“I rëndë dhe me pasoja do të jetë inflacioni që Albin Kurti i ka shkaktuar fjalorit politik. A nuk ishte rrënqethëse të dëgjosh thirrjet për besnikëri teksa përkrahej Mimoza Kusari. Instrumentalizim e degradim i rëndë është edhe përdorimi i veglave si metaforë për frymëzim politik. Motorët e turbinat mund të tregojnë shpejtësi e efikasitet, por jo mendje e shpirt”, ka shkruar Molliqaj.

Më tutje, ai ka thënë se gabimet e pushtetit aktual nuk do të mund të arsyetohen nga analogjia me gabimet e pushtetit të kaluar.

“Politika bëhet tash dhe këtu!”, ka shkruar ai./Gazeta Sinjali/