Dardan Molliqaj nga PSD’ja, thotë se propozimi franko-gjerman është një marrëveshje që normalizon mosnjohjen, raporton Gazeta Sinjali.
Molliqaj përmes një shkrimi në Facebook, ka listuar disa pika që sipas tij, kjo marrëveshje përfshin, duke filluar nga dakordimi për mosnjohje, vendosjen e bazave të autonomisë territoriale serbe brenda Kosovës e deri tek statusi për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Shkrimi i plotë i tij:
MARRËVESHJA QË NORMALIZON MOSNJOHJEN
1. Serbia nuk e njeh Kosovën. Kjo marrëveshje përbën dakordim për mosnjohje.
Problemi kryesor i nenit 2 në këtë marrëveshje është për çfarë po pretendohet të shitet: si njohje reciproke midis shteteve. Ekziston vetëm një mënyrë për njohjen reciproke: nota verbale fillimisht, dhe themelimi i marrëdhënieve konvencionale diplomatike përmes shkëmbimit të ambasadorëve pastaj.
Kjo pikë do të duhej të ishte momenti më këmbëngulës për Kosovën. Përmendja e nocioneve si sovraniteti, vetëvendosja e integriteti territorial duhet të jetë i sanksionuar. Theksi i këtij neni nuk përmban gjuhë detyruese për palët.
Gjithashtu, përkundër hapit pozitiv te neni 1 që përfshin njohjen për simbolet kombëtare dhe pasaportat, diplomat, targat si dhe vulat doganore nuk mund të interpretohet se kjo lloj njohje mund të merret si njohje e shtetësisë së Kosovës meqë tashmë ekzistojnë qasje të tilla nga shtete që kanë qasje të tillë ndaj shteteve që nuk i njohin, përkatësisht simboleve dhe dokumenteve të tyre siç është rasti i Kinës me Hong Kongun dhe Makaon.
2. Kjo marrëveshje vendosë bazat e autonomisë territoriale serbe brenda Kosovës.
Nenet 10 dhe 7 përbëjnë elementet themelore për një entitet paralel e autonom serb brenda Kosovës. Neni 7 vërtet flet për “vetëmenaxhim”, por këtë nuk e gëzon komuna si njësi administrative brenda hierarkisë institucionale, por komuniteti serb që po merr atribute shtetformuese. Pas elementit etnik, neni 10 përmes detyrimit për ta formuar Asociacionin, këtij entiteti i jepen kompetencat dhe territori. Plani franko-gjerman i pranuar nga Qeveria e Kosovës tashmë e ka tejkaluar Marrëveshjen e vitit 2013.
3. Përjetësimi i dialogut me Serbinë
Neni 6 tregon se kjo marrëveshje është e ndërmjetme. Aty flitet për rikonfirmimin e vullnetit të palëve për të punuar drejt një marrëveshjeje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Ky nen tregon se detyrimet e brendshme që po i merr Kosova nuk janë të fundit. Territorializimi i ndarjes etnike dhe theksimi i autonomisë është rezultat i kësaj Marrëveshjeje, por ky nuk është fundi. Kjo Marrëveshje është po ashtu formë dhe platformë që do të mbushet në të ardhmen. Një moment eventual i të ardhmes kur dialogu mund ta kërkojë njohjen, elemente të reja do t’i jepen kësaj kornize.
4. Problemet thelbësore në preambulën e marrëveshjes
Fillimisht, vërehet termi Palët Kontraktuese”, i cili paraqet një përzgjedhje terminologjike përmes së cilës ruhet neutraliteti i pjesëmarrjes së Kosovës në këtë marrëveshje si shtet duke marrë parasysh që në marrëveshje ndërkombëtare ku pjesëmarrës janë shtetet, cilësimi terminologjik si shtet nuk praktikohet të shmanget kur kihet parasysh se subjektet të së drejtës ndërkombëtare nuk janë vetëm shtetet, por edhe persona të ndryshëm juridik madje edhe vetë personat fizik.
Më pastaj, tek pjesa ku shkruhet “Të përkushtuar … për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” nuk mund të abstragohet e kaluara e afërt e luftës për liri duke i barazuar palët. Kjo pjesë e tekstit të Preambulës sikur mëton të thotë se harresa e zëvendëson drejtësinë duke e bërë edhe Kosovën pjesë të kësaj trashëgimie, të cilën gjoja Kosova duhet ta kapërcejë.
Tutje, përzgjedhja e termit “Frontiers” është problem në veti. Për faktin se termi për të folur mbi kufijtë është zgjedhur “frontiers” dhe jo “borders” thekson qartazi tendencën për të përshkruar vijën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë si një vijë kufitare që nuk është ndërshtetërore. “Frontiers” shënjon kryesisht ndarjen gjeografike dhe socio-kulturore midis vendeve. Dokumenti midis dy Gjermanive e përmend këtë term gjithashtu, por aty e gjen të precizuar dhe në formë imperativi kufizimin e juridiksionit të shteteve në territoret përkatëse, por edhe integritetin territorial.
E për fund, pjesa e preambulës ku shkruhet “Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit” para së gjithash përmes kësaj fjalie trajtohet çështja e statusit të Kosovës si një fakt historik e jo sikurse një e drejtë e popullit të Kosovës, e pasuar nga pjesa e kësaj preambule ku decidivisht i rezervohet Serbisë e drejta për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.
5. “Detyrimet” e Serbisë për të mos bllokuar Kosovën në hapësirën ndërkombëtare
“Detyrimet” e reja të Serbisë në këtë marrëveshje për të mos penguar Kosovën në hyrjen e organizatave të ndryshme ndërkombëtare përbëjnë vetëm një përsëritje të detyrimeve që ngarkonin Serbinë edhe më herët. Përvojat ndërkaq ishin krejtësisht në shpërputhje me këto obligime. Teksti i marrëveshjes nuk ofron asnjë garanci se Serbia përsëri nuk do sillet njësoj si herët e kaluara.
Këto detyrime ndaj Serbisë nuk mund ti ndalin shtetet mosnjohëse e të fuqishme të pengojnë Kosovën të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si OKB dhe NATO.
6. Status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Neni 7 i Marrëveshjes flet për “formalizimin e Statusit të KOS”. Dihet botërisht se diçka e tillë tashmë është e sanksionuar në ligjet tona nga periudha e Planit të Ahtisarit. Përmendja në një nen të veçantë, nuk mund të jetë përsëritje e asaj që ekziston. Kosova ka pranuar ta tejkalojë Ahtisarin edhe në këtë drejtim.