Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka shkruar në Facebook në lidhje me mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. PSD ka protestuar dje para objektit të Qeverisë, ku ishin qindra qytetarë.
Molliqaj ka kërkuar që të dëgjohet vullneti i qytetarëve dhe të kthehet prapa propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave.
Mirëpo ai nuk është deklaruar në lidhje me shuplakën ndaj policit.
“Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa”, shkroi Molliqaj.
Postimi i tij i plotë:
Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës
Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.
Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës.
Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa.