Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka kritikuar programin e paraqitur sot nga kryeministri dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, shkruan Gazeta Sinjali.
Molliqaj ka shkruar se ekonomia do të udhëhiqet nga njerëz të deklaruar publikisht si të djathtë.
“Pa ndërhyrje në sistemin tatimor dhe politika të rishpërndarjes, ata na thonë se rritja ekonomike dhe zhvillimi shoqëror janë të ndara. Pa sigurime shëndetësore e sistem të drejtë pensional, qeveria e re, ndihmat do t’i shesë si sistem të mirëqenies”, ka shkruar ai.
Kurse për Arbërie Nagavcin ka thënë se ajo nuk ka “guxim politik e as dashuri për dijen”.
Molliqaj ka kritikuar edhe Arben Vitinë, Xhelal Sveçlën e Donika Gërvallën.
“Shëndetësia do të drejtohet nga një ministër tejet i papërgjegjshëm. Arben Vitia kishte mbyllur Kosovën për mbrojtje nga pandemia, por në pikun e saj merr pjesë në një tubim prej 1000 personash. Sjellja e tij nuk i ngjan universalitetit të Hipokratit, por hileve të hipokritit”.
“Ministria e Brendshme do t’i besohet vaj medet Xhelal Sveçlës, kurse Ministria e Jashtme përmes Donika Gërvallës do ta personifikojë në mënyrë permanente skandalin diplomatik”.
“Prej ditës së sotme së paku nuk do të na thonë më mjaft e kritikuat opozitën, tash do të thonë pritni 1 vit, pastaj do të thonë 1 mandat është pak…”, ka përfunduar Molliqaj. /Gazeta Sinjali/