Gjatë aksionit të sotëm kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, e ka quajtur veteran të rrejshëm të UÇK-së, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Pasi vendosën një pankartë në hyrjen e objektit të qeverisë, Molliqaj tha se Kurti ka mashtruar, pasi është tërhequr nga UÇK-ja tre muaj para përfundimit të luftës.
Molliqaj gjatë aksionit tha se “Albin Kurti është angazhuar në UÇK në gushtin e vitit 1998, përkatësisht në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm politik të Adem Demaçit”.
“Ndërsa është tërhequr nga UÇK-ja dhe nga kjo zyre më 2 mars të vitit 1999, pra rreth tre muaj para përfundimit të luftës, Albin Kurti mund të jetë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Albin Kurti nuk është veteran luftëtar i UÇK-së dhe Albin Kurti ka mashtruar”.
Tutje ai thotë që Albin Kurti ka deklaruar rrejshëm se ai është tërhequr nga UÇK-ja me 2 mars, ndërsa është arrestuar nga Serbia me 7 prill të vitit 1999.
Sipas Molliqaj është një deklaratë e rrejshme e Albin Kurtit.
“Kjo konfirmon se nëse duam të flasim për veteranët e rrejshëm, veterani i parë i rrejshëm është Albin Kurti”, tha ai.
Ai paralajmëroi se javën e ardhshme do të dorëzojnë kallëzim penal ndaj Kurtit.
“Ne e ftojmë Prokurorinë se të nis qysh sot hetimet e mëhershme për shkak se ekzistojnë dokumente kur është angazhuar dhe kur është tërhequr nga UÇK-ja dhe arrestuar nga Serbia. Të njëjtën kohë i sigurojmë secilit se gjithë ata që duan të për baltosin, denigrojnë luftën dhe veteranin e vërtet të UÇK-së do t’i kundërshtojmë me fakte dhe argumente. Por edhe me bindje tona të thella”.
Javën e kaluar kryeministri Albin Kurti deklaroi se Kosova nuk ka pasur më shumë se 20 mijë veteranë të UÇK-së, ndryshe siç janë paraqitur 60 mijë.