Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në vend, ku tash e disa ditë është situatë e tensionuar në katër komunat të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Molliqaj ka thënë se Kosova ka vetëm kryeministër, ndërsa krerët tjerë të shtetit i ka quajtur notere dhe amortizator.
“Kosova ka veç kryeministër. Nuk ka as presidente, as kryeparlamentar, as Kuvend e as opozitë parlamentare. E para është veç notere e kryeministrit. I dyti amortizator. Kuvendi, shumësi robotësh që si bëjnë zë liderit. Opozita parlamentare, kalkulantë e të frikësuar”, shkroi Molliqaj.
Sipas tij, Kosova nën udhëheqjen e një njeriu, është e rrezikuar si rrallëherë tjetër.
Kujtojmë që gjatë takimit të sotëm të gazetarëve dhe ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ky i fundit ka shprehur kritika të mëdha në drejtim të Qeverisë së Kosovës.
Hovenier ka konfirmuar sanksionimin ndaj Kosovës, duke thënë se përjashtimi nga stërvitjet ‘Defender Europe 2023’, është pasoja e parë për vendin tonë.
Ai ka thënë se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.