Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj përmes një postimi të bërë në Facebook, ka kërkuar hetim për deputetët në lidhje me shpenzimet për karburante.
Sipas Molliqajt, ky është keqpërdorim i pastër dhe sipas tij askush nuk është gjykuar dhe dënuar për korrupsion.
Po ashtu, Molliqaj ka thënë se nuk është duke u bërë fjalë vetëm për 3 apo 4 deputetë.
Njoftimi i plotë:
Të hetohen keqpërdoruesit!
Nuk mjafton kërkim falja. As kthimi i parave. As ”humanizmi” me para të keqpërdorura. Mashtruesit duhet të gjykohen e dënohen. Sepse ky është keqpërdorim i pastërt.
Kur Qeveria Kurti u zu në vepër e sipër duke tentuar që t’ia jap tenderin milionësh një kompanie për stikersat e veturave, fillimisht e mbrojtën vendimin e tyre. Pas presionit të publikut, u tërhoqën dhe e anuluan atë vendim. Por, askush nuk u gjykua e as dënua për korrupsion.
Kur u publikuan shumat që deputetët e VV i marrin për karburante, fillimisht partia ja la fajet vendimit të vjetër të Kuvendit.
Por kur u zunë duke gënjyer edhe për adresat e banimit, filluan të bëjnë bamirësi me para të vjedhura. Askush nuk po përjashtohet nga partia, se lëre më që po gjykohet apo dënohet dikush.
Këtu nuk po bëhet fjalë për 3 a 4 deputetë. Nuk janë disa përjashtime a gabime individuale. Fakti qe kaq shumë deputetë janë të përfshirë, kjo prodhon rregullin dhe tregon frymën e brendshme, stërkeqjen dhe babëzinë. /GazetaSinjali/